E diela e larit, tradita të ndryshme!
E diela e larit, e diela e luleve ose e diela e palmave sikurse emërtohet në vende të ndryshme, është e diela e fundit e kohës së kreshmëve ose e diela para të dielës së Pashkëve. Me këtë të diele janë të lidhura shumë tradita në popullin shqiptar por edhe në popuj të ndryshëm. Me këtë ditë fillon java e madhe, që është një kohë intensive në prag të festës së Pashkëve. Në aspektin liturgjik kjo festë, karakterizohet nga procesioni me palma si shenjë e hyrjes së Jezu Krishtit kremtorisht në Jeruzalem (krhs. Mt 21, 1-11; Mk 11,1–11; Gjn 12,13–15). Kjo ditë pranohet si dita e fillimit të mundimeve të Jezusit që arrin kulmin në treditëshin e Pashkëve.
Ka tradita të shumta dhe të ndryshme që e karakterizojnë këtë festë. Në disa vende, përgatitjet fillojnë disa ditë më parë, dhe në të tjera në ditën e festës. Megjithatë ajo që është karakteristike është fakti, se njerëzit shkojnë me rrema lari, lulesh, ullinjsh ose me palma për të marrë pjesë në liturgji ku këto rrema edhe do të bekohen. Më pas rremat e marra në shtëpi i vendosin në një ambient ku bien në sy, si shenjë kujtimi e kësaj dite. Degët e Palmës të cilat rriten në zonën e Mesdheut janë pranuar gjithmonë si pemë të shenjta, por në këtë zonë ato pranoheshin edhe si simbol i jetës dhe i fitores. Ulliri dhe pranohen si pemë të cilat përfaqësojnë paqen. Shesh lajmet e fitoreve të mëdha në luftërat e asaj kohe silleshin me një degë ulliri apo me një degë të pemës së larit.
Në disa krahina të ndryshme në këtë ditë, merren lule të cilat pasi bekohen hidhen në një enë me ujë prej nga ku të gjithë anëtarët e familjes të mund të lajnë fytyrën në shenjë bekimi dhe shëndeti të plotë. Në fakt përdorimi i luleve në të dielën e larit është edhe një simbol i fortë veçanërisht në krahinat në të cilat nuk janë rritur as ullinjtë, as palmat, as lari. Sepse këto bimë kërkojnë kushte të veçanta atmosferike që të mund të rriten. Prandaj në disa krahina përdoret emërtimi e diela e luleve, sepse në këto krahina janë bekuar lulet në vendin e elementeve të lartpërmendura. Në zona të ndryshme malore në të cilat blegtoria dhe bujqësia, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e diela e larit ka qenë dita në të cilën janë bekuar edhe kafshët, mbi të gjitha kafshët e lindura të vitit në të cilin ndodheshin. Kështu pas bekimit të rremave, të cilët në shumicën e rasteve përbëheshin prej një degëze, qershie ose kumbulle të lulëzuar dhe që kishte shumë lule të çelura në të. Fëmijët shkonin në vathin në të cilin ndodheshin bagëtitë dhe numëronin me rremin e lules, qingjat, edhat, viçat dhe të gjitha bagëtitë e reja. Në rastet kur dimri zgjaste më shumë, mund të përdoreshin edhe lule thane, sepse ajo lulëzon më herët, prandaj ka edhe disa zona të cilat këtë të diele e thërrasin e diela e thanave. Në trevat Shqiptare, zakonisht janë njerëzit ata që i drejtohen Kishës ose vendit të kremtimit liturgjik me rrema në dorë. Pra janë vetë besimtarët ata të cilët duhet të gjejnë mënyrën për të përgatitur rremat të cilët ata duan të bekojnë.
Në vende të ndryshme të botës bekohen rrema ulliri ose palme (në Itali) ose edhe përgatiten kurora të ndryshme të veshura me gjethe pemësh me xhëmba (palma thumbuese). Një traditë e tillë takohet mbi të gjitha në pjesët e fiseve gjermanë sikurse është Zvicra apo Gjermania. Në këto raste janë familjet të cilat gjatë javës së madhe ulen së bashku dhe përgatisin një pemë të tillë. Kjo përbëhet nga rrathë të cilët përfaqësojnë pafundësinë. Përmban mollë të cilat për shkak të formës së rrumbullakët, përfaqësojnë botën që shëlbohet prej Zotit. Dhe sie e tillë me këtë simbol mbartim në Kishë të gjithë botën dhe lutem për bekimin prej krijuesit të saj. Molla i qe dhënë Evës nga gjarpri në kopshtin Eden, prandaj ka edhe simbolin e tundimit dhe të mëkatit prej të cilit Jezusi do të na shpëtojë me vdekjen e tij në kryq. Bekimi i tyre bëhet në Kishë dhe mbahen në ballkon deri në fillimin e kreshmëve të vitit që vjen, ku është koha për përgatitjen e pemës së re. Në këto zona përveç pemëve me kurora të cilat përgatiten nga familjet, bashkësitë kishtare përgatisin kosha me tufa rremash të cilat mund të merren nga të gjithë të pranishmit dhe nga të gjithë ata të cilët nuk i kanë mundësitë e një përgatitje të një kurore apo një peme me kurorëza. Koha e përgatitjes por edhe kremtimi liturgjik i të dielës së larit është i karakterizuar nga pjesëmarrje e madhe e familjeve me fëmijët e tyre.
Sigurisht që traditat lidhur me këtë ditë janë të mëdha dhe shumë të pasura, megjithatë dua të mjaftohemi duke përmbyllur këto mendime me dëshirën që të mund të ruajmë dhe të mbajmë pasuritë që kemi rreth festave të ndryshme që Kisha na ofron si mundësi e përtëritjes shpirtërore, por edhe ti pasurojmë ato me tradita të tjera të bukura.
Prandaj e diela e Larit, e luleve, apo e Palmave le të jetë një shenjë e fortë e një mundësie për të përmirësuar çka është e nevojshme në jetën tonë, dhe për të gjallëruar atë që është e bukur prej traditave të shumta lidhur me këtë ditë të bukur që na hap derën e festës së Pashkëve.
© Kopjimi, shumëfishimi, apo shpërndarja (botimi) e teksteve në cilëndo formë të mundshme pa citimin e autorit apo pa miratimin me shkrim të tij, janë të ndaluara me ligj. Të gjitha të drejtat e përdorimit mbeten pranë jakujam.ch.