Festa e Pashkëve, tradita familjare.
Festa e pashkëve është një ndër festat më të hershme të Krishterimit. Përkujtimi i ringjalljes së Jezusit është një nga ngjarjet e para të cilën e kanë festuar nxënësit dhe ndjekësit e Jezusit. Apostujt dhe nxënësit e parë të Krishtit kanë ndjerë angazhimin e përhapjes së Lajmit të mirë të Jezusit si një mision të cilin vetë ai jua pati besuar atyre.
Liturgjia e vigjiljes së Pashkëve ka qenë në fillimet e Kishës për anëtarët e rinj të saj edhe burimi i fillimit të jetës së Krishterë, ku akoma sot mbetet si e tillë. Pashkët bashkë me festën e Krishtlindjes mbeten dy nga festat më të mëdha të mbarë Krishterimit. Jezusi i mishëruar, i bërë njeri, me anë të mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së vet sjell shëlbimin e botës.
Në popullin tonë ka tradita të ndryshme lidhur me festën e Pashkëve të cilat shfaqen të larmishme sipas krahinave. Treditëshi i pashkëve karakterizohet nga pjesëmarrje e gjallë e njerëzve në liturgjitë kishtare. Ndërkohë që në aspektin familjar karakterizohen nga agjërimi, mbi të gjitha nga mishit dhe bulmeti por edhe nga lutja e rruzares në familje. Këto dy aspekte janë elemente që në shumicën e familjeve praktikohen gjatë gjithë kohës së kreshmëve. Pjesëmarrja në liturgjitë e orëve të vona, bën që edhe jeta familjare gjatë këtyre ditëve të jetë e organizuar ndryshe nga ritmi i zakonshëm që ajo ka.
Në aspektin familjar dita më e pasur me tradita është ajo e të dielës së Pashkëve. Që karakterizohet me ngrënien e vaktit të bekuar të “Bukës së Pashkëve”. “Buka e bekuar” e cila nuk përbëhet vetëm prej bukës, por prej ushqimeve të ndryshme karakteristike për festën e Pashkëve, por edhe për fillimin e pranverës e cila tashmë merr hovin e zhvillimit të saj për ritmin e ri të jetës.
Buka e bekuar përgatitet një ditë më parë dhe bekohet në Kishat famullitare në oraret e caktuara. Në disa Kisha madje bekimi i ushqimeve, i bukës bëhet në përmbylljen e Meshës së vigjiljes së Pashkëve. Ndërsa në shumë famulli, besimtarët mund të paraqiten në famullitë e tyre në orare të ndryshme, ku famullitari bekon ushqimet e sjella nga besimtarët e tij. Në famulli të vendeve të thella malore, ku edhe mungesa e Meshtarëve e bën të pamundur bekimin e ushqimeve të shtunën e madhe, ato bekohen kohë më përpara. Në këtë rast nuk bekohet buka apo vezët e ziera, por bekohet mielli dhe ushqimet e papërgatitura. Më pas kur ata përgatiten, tregohet kujdes i veçantë pe mbetjet të cilat dalin nga përgatitja e tyre, si shenjë respekti ndaj bekimit të bërë mbi këto ushqime. Zakonisht bekohet, bukë, vezë, djathë, hudhra dhe qepë të njoma. Në zona të ndryshme bekohen edhe fara të ndryshme perimesh por edhe sipas familjeve bekohen edhe ëmbëlsira të ndryshme.
Edhe tradita e ngrënies së vaktit Pashkor të ushqimeve të bekuara është e ndryshme. Në disa zona ushqimet e bekuara duhet të konsumohen në një vakt të vetëm (në zonat e veriut të Shqipërisë), ndërsa në zona të tjera (në Kosovë mbi të gjitha) ushqimet e bekuara duhet të mjaftojnë për tre vakte, d.m.th. për të dielën, të hënën dhe të martën e Pashkëve.
Në zonat e veriut të Shqipërisë buka e bekuar hahet gjithmonë në drekën e të dielës së Pashkëve. Pasi shtrohet tryeza, familja mblidhet dhe fillohet me lutjen e bekimit të tryezës. Më pas anëtarët e familjes ushqehen fillimisht me ushqimet e bekuara dhe më pas me ushqime të tjera. Gjatë ngrënies tregohet kujdes i veçantë për të mos bërë thërrime. Pas mbarimit të drekës, të gjithë anëtarët e familjes duhet të lajnë duart në një enë të mbushur me ujë të pastër. Kjo gjë bëhet si shenjë nderimi ndaj ushqimit të bekuar të cilin sapo e kemi prekur me duar. Uji më pas përdoret për ujitjen e luleve, që në këtë mënyrë bekohen edhe ato. Pas dreke mbillen edhe farat e bekuara, në vendin e përgatitur më parë. Në këto zona, në kohën e drekës nuk bëhen vizita në familjet e tjera, në mënyrë që familjet të mund të festojnë me njëri-tjetrin.
Në zonat ku ushqimet e bekuara nuk duhet të hahen në një vakt të vetëm, ngrënia e ushqimeve bëhet kryesisht në mëngjes, që në këtë mënyrë të mund të fillohet dita me bekimin e Zotit. Ushqimet ruhen dhe kështu hahen në tre vakte të ndryshme.
Tradita të tjera në festën e Pashkëve lidhen edhe me ushqimet karakteristike për këtë festë. Në familjet shqiptare nuk mungon orizi i zier me qumësht dhe sheqer. Në vende të ndryshme në vend të orizit zihet edhe grurë. Sigurisht nuk mund të lemë pa përmendur edhe faktin e zierjes së vezëve të ngjyrosura ose vezët e futura në lëngun e djathit apo në ujë e kripë. Në zona të ndryshme përgatiten edhe përpeq me vezë (në formën e një byreku) apo përpeq i ëmbël, i ndeshur mbi të gjitha në zonën e veriut të Shqipërisë.
Në aspektin shoqëror festa e Pashkëve shihet si mundësi e madhe për tu pajtuar mes familjeve (në rastet e konflikteve) apo edhe si mundësi e mirë për të vizituar njëri-tjetrin. Zakonisht gjatë kësaj feste në mëngjesin e të dielës së Pashkëve vizitoheshin fillimisht të sëmurët, të moshuarit dhe familjet të cilat gjatë vitit të fundit kanë humbur një njeri të familjes. Kjo gjë bëhej si shenjë ngushëllimi dhe bashkëndarje me ata të cilët vuanin një gjendje të tillë.
Nuk duhet të harrojmë edhe tradita të ndryshme të cilat përfshijnë botën e fëmijëve. Fëmijët janë të parët ata të cilët arrin një status të veçantë në festën e Pashkëve. Ata në këtë ditë veshin rroba të reja (traditë e cila mund ta ketë prejardhjen në liturgjinë e pagëzimeve të vigjiljes së Pashkëve, ku të sapo pagëzuarit vishnin petkun e ri, të cilin e mbanin veshur një javë). Më pas ka qenë traditë që ata të trokitnin derë më derë, për të uruar pashkët dhe më pas atyre ju dhuroheshin vezë ose ëmbëlsira të ndryshme.
Këto janë disa nga traditat kryesore të familjeve katolike shqiptare në krahina të ndryshme, të treguara nga persona të moshuar të zonave të ndryshme. Përvoja të cilat edhe të rinjtë do duhej të vazhdonin ti kultivonin jo vetëm për të mbajtur tradita por për të forcuar të qenët së bashku si familje.
Krishti u Ringjall!
Me shëndet Pashkët!
© Kopjimi, shumëfishimi, apo shpërndarja (botimi) e teksteve në cilëndo formë të mundshme pa citimin e autorit apo pa miratimin me shkrim të tij, janë të ndaluara me ligj. Të gjitha të drejtat e përdorimit mbeten pranë jakujam.ch.