Festa e lajmërimit të Zotit

“Mos kij frikë, o Mari!”, Mos kij frikë, o…njeri!

Festa e lajmërimit të Zotit është një festë e cila ka një vend të veçantë në zemrat e shumë besimtarëve të cilët janë të mahnitur nga historia e dashurisë që Zoti jeton me njeriun, e njeriu me Zotin. Në fakt Kisha e ka renditur atë në rendin e të kremteve, e megjithatë kjo ditë kujton ngjarjen më të rendësishme të Historisë së njerëzimit në ecjen e tij me Zotin. Pas marrdhënies së gjatë të Hyjit me popullin e tij Israelin, ai vendos ta kulmojë këtë mardhënie me dërgimin e Birit të tij mbi tokë. Ai vendos që të mos mbetet vetem Hyji i popullit të Izraelit, por dëshiron t’ju zbulohet të gjithë popujve të Zotit, dëshiron të na zbulohet edhe ne.

Hyji vendos të bëhet njeri, të bëhet i ngjashem në gjithçka me ne (Krhs Fil 2, 7), që  të mund të shëlbojë gjithçka tonën. Këtë vepër shëlbimi Hyji nuk dëshiron ta kryejë i vetëm, por dëshiron të përfshijë edhe njeriun në veprën e tij shëlbimprurese. Dëshiron që njeriu ti thotë po veprës shëlbimprurese të Zotit. Kështu e dërgoi Engjëllin e tij, engjëllin e tij lajmëtar, Gabrielin tek Maria, një vajzë e re e popullit të Izraelit e cila gjatë gjithë jetës e kishte përgatitur zemrën e saj për ardhjen e Zotit. Prandaj edhe Zoti i drejtohet asaj për të ardhur si njeri, në mesin e njerëzve.

Mos kij frikë!” (Lk 1, 28b). Janë ndër fjalët e para të cilat Zoti ja thotë njeriut në historinë e shëlbimit, në historinë e Zotit të bërë njeri. Këto janë fjalët e para, pas përshëndetjes,  të cilat engjëlli Gabriel ja thotë Marisë, vajzukes nazarenase prej së cilës do të lindte Mesia.  Përshëndetja e engjëllit është mbresëlënëse. Është një shprehje e cila përsëritet herë pas here në Shkrimin Shenjt. Është shprehja të cilën engjëlli ja pati thënë Zakarisë kur i lajmëroi lindjen e Gjonit por është edhe shprehja të cilën Jezusi jua thotë apostujve në mes të stuhisë ndërkohë që ata gjendeshin në detin e Gjenezaretit. “Mos kij frikë!” është shprehja, fjala, kërkesa dhe mbështetja të cilën Zoti dëshiron të na e thotë çdo ditë, e mbi të gjitha, në ditët e pasigurisë së madhe. E bën këtë gjë, pa pritur që ne ti themi po, pa pritur që ne të shpjegohemi, apo ti kërkojmë llogari. Është fjala e tij e parë për të na dhënë guximin që ti themi po, dashurisë me të cilën ai dëshiron ta pasurojë jetën tonë. Prandaj frikës së së Marisë i përgjigjet me një nxitje: “Mos kij frikë, o Mari”! Është pikërsisht kjo forca, që Zoti i jep zemrës së njeriut para zgjedhjeve të mëdha, që ai të vazhdojë të banojë dhe të veprojë në jetën dhe botën tonë..

Kështu nëpërmjet thjeshtësisë së zemrës së Marisë, Zoti mundi të vishej me trupin e qenies njerëzore. Krijuesi që e krijoi krijesën në përngjasimin e vet, bëhet i ngjashem me krijesën, me një fjalë të vetme të Marisë. Amen! Fjala e cila del pa mundim prej buzëve të Marisë, sepse Zemra e kishte marrë tashmë forcën për të përballuar botën. Amen, që vjen prej guximit të marrë prej Zotit nëpërmjet fjalëve: “Mos kij frikë!” Prej atij momenti, Zoti ishte në Marinë, e Maria ishte krejt e Zotit. E gjithë kjo, që Zoti të ishte i pranishëm në zemrën, jetën dhe veprat e njeriut dhe njeriu të ishte krejt në zemrën, veprat dhe jetën e Zotit. Që ti dhe unë të kemi guximin për të pranuar gjithçka vjen prej Zotit edhe kur nuk e dimë si përfundon, dhe bashkë me të të përshkojmë rrugën e jetës sonë. “Mos kij frikë o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!” (Lk 1, 30). Kjo është edhe arsyeja përse nuk duhet të kemi frikë as ti as unë, sepse Zoti nuk na lëshon nga dora e vet. Ai na mbush me hirin e tij, dhe na përcjell në rrugën e jetës, derisa të arrijmë në Jetë. Derisa të arrijmë qëllimin për të cilin jemi krijuar, derisa të arrijmë gëzimin e pranisë së përjetshme të Zotit.

E deri atëherë “Ai u bë njeri, e banon ndër ne!” (Gjn 1, 14), që ne të mos ndjejmë kurrë frikë në jetën tonë. Ai është i gjallë dhe veprues edhe atëherë kur e tatëpjeta na mundon, ai është i gjallë dhe na shoqëron  gjithmonë. E na thotë…”Mos kij frikë!” Po, “Mos kij frikë!” Madje aq përshtatet kjo thënje, kjo festë me kohën e shenjtë të Kreshmeve, me pragun e javës së shenjtë saqë duket si të jetë bërë qëllimisht për këtë kohë. Sepse Jezusi ndërkohë që zbret në krahërorin e virgjërës Mari e bëhet njeri, vijon veprën e shëlbimit drejt vdekjes në Kryq, prej ku akoma vazhdon të na thotë: “Mos kij frikë!” Ja, unë po i shtrij krahët e mi në kryq për të ta dëshmuar se jam gjithmonë i joti, e ti i imi. Se jam gjithmonë me ty, sikurse isha me Marinë, me Apostujt, me Shenjtërit dhe me të gjithë njerëzit që kanë nevojë për përqafimin tim. “Mos kij frikë!”, sepse jam mishëruar, por mbi të gjitha “Mos kij frikë!” sepse kam vdekur dhe jam ringjallur, për ty! E ti je i çmuar për mua, dashuria e pafund e krijimit tim!

© Kopjimi, shumëfishimi, apo shpërndarja (botimi) e teksteve në cilëndo formë të mundshme pa citimin e autorit apo pa miratimin me shkrim të tij, janë të ndaluara me ligj. Të gjitha të drejtat e përdorimit mbeten pranë jakujam.ch.