Fillimi i kohës së Kreshmëve

“Kujtohu o njeri,
se pluhur ke qenë e pluhur do të bëhesh!

(krhs Zan 3. 19)

Kthehuni e besoni Ungjillit! (Mk 1, 15)

 

Me bekimin me kryqin e bërë mbi kokë me hirin e bekuar, të Krishterët fillojnë kohën e shenjtë të Kreshmëve. Një kohë e cila shërben për një përgatitje më të mirë dhe intensive për festën e pashkëve. Një shenjë e cila na kujton edhe fillimin e historisë së njerëzimi, krijimin e të gjitha gjallesave prej balte, prejardhjen fizike të tyre (krhs. Zan 2, 19-20).

Koha e kreshmëve fillon me të mërkurën e përhime dhe fillimi i saj është i varur gjithmonë nga data në të cilën festohet e diela e Pashkëve, e cila festohet gjithmonë të dielën pas hënës së parë të plotë të pranverës. Ajo zgjat 40 ditë, pa i numëruar  6-të të dielat që bien gjatë kësaj kohe. Gjatë të dielave Kisha këshillon të mos mbahet agjërim, sepse e diela përbën Pashkën e vogël ose Pashkët javore. Megjithatë ka njerëz të cilët agjërimin e tyre e mbajnë prej të mërkurës së përhime deri të dielën e Pashkëve.[1] Numri 40 është një numër me simbolikë biblike. Populli i Izraelit ka udhëtuar në shkretëtirë për 40 ditë (Krahaso Dal 12-40; Lev; Num; Lp), edhe Moisiu pati qëndruar 40 ditë në malin Sinai (Dal 34, 28), ndërkohë që edhe Jezusi përpara se të fillonte jetën e tij publike, qëndroi në shkretëtirë 40 ditë (krhs. Mk 1, 12-13; Mt 4, 2).[2]

Kjo kohë është e shënuar për karakterin e saj pendestar. Besimtarët janë të ftuar që gjatë kësaj kohe të agjërojnë, në mënyra të ndryshme dhe të përshtatshme sipas nevojave personale. Fillimisht agjërimi karakterizohej nga heqja dorë e ngrënies së mishit dhe më vonë edhe e produkteve të qumështit. Ajo është paraparë si kohë parapërgatitore e Katekumenëve por edhe i pendestarëve publik.[3]  Që në kohët e fillimit të saj, kjo periudhë ka shërbyer si kohë parapërgatitore intensive për festën e Pashkëve. Sikurse u përmend më lart, fillimisht si kohë parapërgatitore e Katekumenëve dhe e pendestarëve publik. Më pas bashkësia i është bashkangjitur atyre në kohën e treditëshit të pashkëve, që të gjithë së bashku të përgatiteshin me lutje dhe pendesë për festën e pashkëve. Karakteri i saj i përgjithshëm është marrë prej shekullit të X-të. Duke filluar nga ky shekull karakteri pendestar i kohës së Kreshmëve është zgjeruar për të përfshirë të gjithë njerëzit.[4] Të mërkurën e përhime është bërë fillimisht bekimi i pendestarëve publik me hirin e bekuar, por më vonë prej shekullit të X-të riti është zgjeruar për të gjithë besimtarët. Tradita nga ku hiri i përdorur nga rremat e palmave të bekuara një vit më parë, ka hyrë në liturgji rreth shekullit të XII-të.[5] “Periudha dyzet-ditore  e kohës së kreshmëve ka karakterin e saj të dyfishtë, në njërën anë nëpërmjet përkujtimit të premtimeve pagëzimore apo përgatitjes për pagëzim dhe në anën tjetër, dëshiron që me anë të pendesës […]të përgatisë besimtarët për festën e misterit të Pashkëve. […]”[6]

Vetë liturgjia e të mërkurës së përhime me simbolikën e vet karakteristike, vendos themelet e kësaj kohe e cila pason, duke na kujtuar faktin se jemi njerëz dhe si të tillë edhe mund të biem, të gabojmë. Por ajo që është më e rëndësishmja, që edhe pse të tillë, gjithmonë duhet të jemi në gjendje të ringrihemi dhe të rifillojmë. Të mos dorëzohemi. Krijuesi e di që si qenie njerëzore jemi të dobëta, por ai e di që qenia jonë njerëzore është shenjtëruar me anë të Atij i cili e ka marrë natyrën tonë, në mënyrë që ajo të shenjtërohej një herë e përgjithmonë.

Prandaj ecja jonë kreshmore le të jetë një ecje e karakterizuar nga dëshira që të bëhemi njerëz të vërtetë, njerëz që i ngjasojnë Atij në përngjasimin e të cilit jemi krijuar, dhe njerëz të cilët i ngjasojnë Njeriut të vërtetë, Jezu Krishtit.

Ecje të shenjtë Kreshmore!

© Kopjimi, shumëfishimi, apo shpërndarja (botimi) e teksteve në cilëndo formë të mundshme pa citimin e autorit apo pa miratimin me shkrim të tij, janë të ndaluara me ligj. Të gjitha të drejtat e përdorimit mbeten pranë jakujam.ch

 

[1] Michael Kunzler: Die Liturgie der Kirche: In: Amateca, Lehrbücher zur katholischen Theologie, Band X. Bonifatius Druck-Buch-Verlag, Paderborn 1995. Fq. 590-95.
[2] Vgl. Joseph Pascher: Das Liturgische Jahr, Max Hueber Verlag. München 1963. Fq.  47-54.
[3] Ky është termi që përdoret për të përshkruar njerëzit të cilët i pranonin mëkatet e tyre publikisht dhe pranonin që të bënin pendesë për tu rikthyer në bashkësinë e të krishterëve.
[4] Krhs. Adolf Adam, Winfried Haunerland: Grundriss Liturgie, Fq. 430-433.
[5] Krhs. Po aty Fq. 430-433.
[6]Po aty. Fq. 592.